Shqiptarët nëpër botë Transferimet

Beqiraj nuk e meriton të mbetet në tribunë, ndahet me Maccabi Netanya

Sulmuesi kosovar, Fatos Beqiraj, është larguar nga Izraeli. Pas dy vjetëve te Maccabi Netanya, reprezentuesi i Malit të Zi ka arritur marrëveshje për ndarje me këtë klub. Ai ka pasur kontratë deri në fund të edicionit aktual, por është larguar para skadimit të saj.

“Duam që në fund të edicionit t’ua japim rastin lojtarëve të rinj e në të njëjtën kohë të respektojmë Fatosin. Kapiteni i Malit të Zi është lojtar i shkëlqyeshëm dhe nuk meriton që të jetë në tribuna. Për këtë kemi pranuar dëshirën e tij që të kthehet në shtëpi te familja. Është koha t’i themi lamtumirë dhe faleminderit”, thuhet në një njoftim të Maccabit, raporton “vijesti.me”.

Për dy edicione te Maccabi, Beqiraj ka luajtur 54 ndeshje kampionale dhe ka shënuar 20 gola. Tani është lojtar i lirë, ndërsa mund të kthehet në Mal të Zi. Për të interesim kanë shprehur Buduqnosti dhe Deçiqi. Ai ka luajtur më parë për Buduqnostin, ndërsa më pas ishte te tri skuadra me emrin Dinamo, atë të Zagrebit, Moskës dhe Minskut. Karrierë ka bërë edhe në Kinë dhe Belgjikë.

Është lojtari me më së shumti paraqitje te Mali i Zi, gjithsej 69. Për Malin e Zi ka shënuar nëntë gola. Beqiraj kishte luajtur edhe kundër Kosovës, por kishte treguar respekt të madh dhe ishte respektuar shumë nga tifozët kosovarë. /koha.net