Hendboll

Besa Famgas fiton kupën, triumfon në superfinale ndaj Prishtinës

Me një ndeshje shumë të fortë ka përfunduar edicioni 2019/20 në hendbollin kosovar.Besa Famgas ka kompletuar një edicion perfekt duke ia shtuar Kupën e Kosovës trofeut të kampionit që e kishte fituar më herët.

Besa Famgas në finale të Kupës së Republikës së Kosovës (meshkujt) e mposhti Prishtinën me rezultat të ngushtë, 23:21.

Finalja u luajt në Pallatin e Rinisë në Prishtinë.Kupën për Besën e kanë ndarë ministrja për Kulturë, Rini dhe Sport, Vlora Dumoshi dhe presidenti i FHK-së, Eugen Saraçini.

Medaljet e arta për lojtarët e Besës i kanë ndarë presidenti i KOK-ut, Besim Hasani dhe Ibër Alaj, drejtor i Departamentit të Sportit.Armand Çakalli i Federatës Shqiptare të Hendbollit dhe Afërdita Fazlija, zv. drejtoreshë e DS ndanë medaljet e argjendta për Prishtinën.Finalja ishte shumë e fortë, bindshëm ndeshja më e fortë e këtij edicioni.

Prishtina kishte epërsi fillestare kurse rezultati u barazua në minutën e 11-të. Më pas Besa Famgas kaloi në epërsi kurse pjesa e parë përfundoi me rezultat 12:10. Rezultati i ngushtë ishte edhe gjatë gjithë pjesës së dytë. Prishtina u afrua në një gol në katër raste, por pa ia dalë të barazojë. Loja ishte e hapur deri në fund. Sidomos në mbrojtje skuadrat ishin pa kompromis.

Te Besa Famgas u dallua me efikasitet Drilon Tahirukaj me 10 gola. Kontribut dha edhe portieri Arti Luzha si dhe gjithë të tjerët. Te Prishtina 8 gola i shënoi D. Terziqi, kurse pritje të shumta kishte portieri Armir Agushi.

Besa Famgas – Prishtina 23:21 (12:10)

Besa Famgas: Mehmeti, Luzha, Y. Muqolli, Idrizi 3, Gjuka 3, Jupa 4, J. Muqolli, Ramosaj 2, Vokshi, Kukrika, Prce 1, Visoka, Tafilaj, Mushkolaj, Tahirukaj 10

Prishtina: Terziqi 8, Beshiri 1, Abazi 1, Bajqinovci 1, Prekazi 5, Rr. Ramadani 1, Gjuka, Ademi, Sula 4, M. Ademi, Sherifi, D. Ramadani, H. Ramadani, Qela, Agushi, Beqiraj.