Futbolli Vendor

“Covid Liga e Parë 20” – epiteti i kampionatit më të ri në Kosovë

Komiteti Ekzekutiv në Federatën e Futbollit të Kosovës mori një vendim javën e shkuar për ta shpallur të mbyllur edicionin 2019/20 në Ligën e Parë.

Por, brenda këtij vendimi njiheshin meritat sportive për Klubin Futbollistik “Besa” dhe Klubin Futbollistik “Arbëria” për t’u inkuadruar në Superligë, por jo edhe për skuadrat e tjera që garuan në këtë kompeticion, pasi që asnjë skuadër nuk do të largohet nga liga.

Përveçse nuk do të largohet asnjë skuadër, në vitin e ardhshëm në këtë kompeticion do të garojnë gjithsej 20 skuadra, duke përfshirë katër skuadrat që do të bien nga Superliga dhe dy të tjera të cilat u inkuadruar nga Liga e Dytë.

Për këtë vendim të Komitetit Ekzekutiv ka reaguar Klubi Futbollistik “Liria”, teksa po e quan të pakuptimtë vendimin. Madje, sekretari i këtij klubi, Bashkim Kajdomçaj po thotë se ky kampionat do të quhet “Covid Liga 20”, meqenëse do të garojnë 20 skuadra në edicionin e ardhshëm.

“Është vendim vërtetë i çuditshëm, pasi që askush nuk e di se si do të zhvillohet formati i garave. Ne nuk jemi Premier Ligë, apo La Liga për t’i zhvilluar 38 ndeshje brenda një edicioni, pasi që nuk ekzistojnë as kushtet elementare te disa klube, të cilat nuk kanë as WC. Me 20 skuadra do të jetë një kaos i vërtetë dhe tashmë është bërë edhe virale të quhet “Covid Liga 20″, pasi që vetëm do të luajnë 20 skuadra”, deklaroi Kajdoçaj.

Ndryshe FC Liria ka bërë ankesë në Federatën e Futbollit të Kosovës, teksa ka paralajmëruar se lëndën do ta dërgojnë edhe në instancat e tjera juridike në vend. /GazetaSheshi