Futbolli Vendor Superliga e Kosovës

Dy ndeshje katër gola – flet Meriton Korenica

FC Prishtina e ka vazhduar me spektakël edicionin në elitën e futbollit kosovar, pas pushimit më shumë se dymujor për shkak të pandemisë COVID-19.

Skuadra nga kryeqyteti kosovar në ndeshjen e parë gjysmëfinale në kuadër të Digitalb Kupës së Kosovës e mposhti me rezultat 3:0 Drenicën në “Fadil Vokrri”.

Në stadiumin e njëjtë në takimin e Superligës, që i takoi xhiros së 23-të, e “tmerroi” Ferizajn, duke e mundur me shifrat 8:1.

Mesfushori i Prishtinës, Meriton Korenica, ishte lojtari që shkëlqeu ndaj ferizajasve, duke realizuar “het-trik”.

Futbollistit nga Rahoveci goli nuk i mungoi as në takimin e parë në ndaj Drenicës, duke realizuar një herë.

“Ishte një fitore shumë e rëndësishme për neve për vazhdimin e ecurisë pozitive. Shpresoj që gjithçka do të shkojë mirë në vazhdimin dhe në fund të arrijmë qëllimet tona, që i kemi si në kampionat, ashtu edhe në Kupën e Kosovës”, nis bisedën për “Zerin” Meriton Korenica.

Për golat ndaj Ferizajt Korenica i ka disa dedikime.

“Dua që t’i falënderojë shokët e skuadrës, ku të gjithë së bashku mund t’ia dalim. Më e rëndësishmja është fitorja për t’i arritur qëllimet. Golat ua dedikoj familjes, shoqërisë dhe tifozëve që na kanë përkrahur”, shtoi Meriton Korenica, i cili konsiderohet një ndër futbollistët më të talentuar në futbollin e Kosovës.

Prishtina edhe në këtë edicion e synon titullin dhe Kupën e Kosovës.

“Duhet që ndeshjet t’i marrim një nga një, në mënyrë që t’i arrijmë objektivat”, përfundoi Meriton Korenica, i cili me “het-trikun” e tij bëhet futbollisti i 10-të te Prishtina që ka arritur pas luftës tregolësh dhe atë pas dy vitesh prej kur sulmuesi Basid Khalid kishte shënuar në Gjilan kundër Dritës në vitin 2017.

Korenica në këtë kampionat i ka realizuat shtatë gola, kurse në total i ka shënuar 23 sosh në fanellën “bardhekaltër”.

23-vjeçari gjatë karrierës së tij ka luajtur edhe për Rahovecin, Lirinë e Prizrenit dhe Shkëndijën e Tetovës.

Ai i është bashkuar Prishtinës në verën e vitin 2018, pas një periudhe shumë pozitive të kaluar te Liria.

Shkëlqimin e tij me kryeqytetasit e nisi atë vit në ndeshjet për Kupat e Evropës, duke realizuar eurogol në ndeshjen preliminare ndaj Europa FC.

Ai ishte pjesë edhe e Përfaqësueses së Kosovës U-21, që drejtohet nga Rafet Prekazi.