Futbolli Vendor Vendor Tjera

FC Besa pritet të kalojë në pronësinë e ish-menaxherit shqiptar të Paul Pogbas

Besa është njëri ndër klubet më të trofeshme në vend, teksa numëron tre tituj kampioni dhe tre kupa të Kosovës. Por, klubi nga Peja ka patur jo pak probleme në vitet e fundit sa i përket aspektit financiar, derisa është përballur edhe me gjyqe ndaj futbollistëve.

Korporata “Elkos” financoi klubin në edicionin e fundit në Ligën e Parë dhe ndihmoi që të ngritej në Superligë, por drejtimin e klubit pritet që të marrë një biznesmen tjetër.

Gazeta “Sheshi” mëson se menaxhi i njohur shqiptar, Ylli Kullashi, i cili jeton dhe vepron në Francë pritet që të vendoset në krye të klubit, duke marrë kështu pjesën më të madhe të aksioneve.

Bisedimet ndërmjet Kullashit dhe drejtuesve aktual të klubit kanë filluar prej kohësh, ndërkohë zyrtarizimi mund të ndodh gjatë javës së ardhshme, saktësisht në javën e parë të muajit qershor.

Ylli Kullashi është shqiptari i cili ka menaxhuar 40% të të drejtave të imazhit të futbollistit francez, në vitin 2014, duke përfituar rreth 5 milionë euro pas një marrëveshje të futbollistit të Manchester United me kompaninë e njohur Adidas, në vitin 2016.

Përveç Pogbas ai kishte nën menaxhim edhe disa futbollistë të tjerë, për të cilët në vazhdimësi kishin raportuar mediat franceze.

Ardhja e tij në Klubin Futbollistik “Besa” pritet të sjellë edhe shumë ndryshime të tjera në këtë klub që riktheu statusin e skuadrës elitare pas dy vitesh qëndrimi në Ligën e Parë.

/Gazeta Sheshi/