Futbolli Vendor Vendor Tjera

Fshati kosovar pasurohet me dy klube të futbollit në kohën e pandemisë

Pandemia COVID-19 e ka goditur ekonominë globale. Sigurisht se kriza e madhe ekonomike ka ndikuar edhe në sport, ndërkohë që në disa vende të botës shumë klube sportive ishin pranë shuarjes. Kishte raste edhe kur falimentuan, siç është rasti me një prej klubeve legjendare të futbollit uellsian, Rhyl FC. Ky klub e shpalli falimentimin si pasojë e mungesës së financave nga kriza e koronavirusit. Pas 141 vjetësh ish-skuadra kampione e Uellsit pushon së ekzistuari.

Gjithsesi, Kosova në këto çështje bën përjashtim. Në kohën e krizës globale në Kosovë po formohen klube të futbollit.

Fshati Hajvali në periferi të Prishtinës është pasuruar me dy ekipe të futbollit.

Hajvalia 2020 dhe KF Shkëndija janë klubet që nga edicioni i ardhshëm do t’i nisin misionet e tyre në futbollin kosovar nga Liga e Dytë.

Këto ekipe u formuan në muajin maj, në kohën e pandemisë.

Në formimin e këtyre klubeve kanë ndikuar edhe investimet në infrastrukturë, ku Hajvalia do të pasurohet me dy fusha me bar sintetik dhe një natyrale, investim i Federatës së Futbollit të Kosovës për grup-moshat e reja të përfaqësueseve.

Meqenëse grup-moshat e Kosovës nuk stërviten shpesh, këto terrene mund të përdoren nga klubet e fshatit.

Kujtojmë se pak vite më parë FC Hajvalia ishte një ndër klubet më simpatike në elitën e futbollit kosovar. Ky klub drejtohej nga këngëtari i mirënjohur kosovar Mehedin Përgjegjaj – “Meda”, i cili papritmas u largua nga ekipi, që më pas u shua.

“Meda” i është rikthyer sërish futbollit për ta formuar një ekip me pothuajse të njëjtin emër, por me një prapashtesë, Hajvalia 2020.

“Kush më njeh e di që futbolli është një pasion i madh imi. Jam rritur me futboll dhe nuk e paramendoj që ndonjëherë të ndahem prej tij. Është e vërtetë që situata aktualisht nuk është më e mira, por Hajvalia kishte kaluar tashmë mjaft kohë pa një klub të futbollit. Prandaj, në momentin që kam marrë telefonatën e miqve të mi në Hajvali për themelimin e klubit kam qenë shumë i nderuar dhe pa hezitim kam pranuar që t’i bashkohem grupit”, ka deklaruar Mehedin Përgjegjaj.

“Meda” ndër të tjera e ka komentuar edhe formimin e dy klubeve në kohë pandemie në fshatin Hajvali.

“Hajvalia ka pasur mungesë të futbollit, prandaj është e natyrshme që të ketë edhe iniciativa për krijimin e klubeve të tjera. Mendoj që në të gjitha variantet është më mirë të ketë dy klube sesa asnjë. Ne kemi bashkëpunim të mirë edhe me djemtë, të cilët janë angazhuar në KF Shkëndija. Por ne jemi të fokusuar në klubin tonë, i cili dita-ditës po pasurohet me emra të shquar nga të gjitha fushat dhe profesionet. Jemi duke ndërtuar një organizim të mirëfilltë, me standarde të larta dhe të denja për një klub profesional të futbollit”, shtoi Përgjegjaj.

KF Shkëndija me synime të mëdha

Ndryshe, klubi i futbollit Shkëndija nga Hajvalia, i formuar në vitin 2017, deri më tani ka operuar vetëm si shkollë e futbollit, ndërsa nga ky edicion do të jetë pjesë e garave me të gjitha grup-moshat, duke përfshirë ekipin e parë.

Drejtuesit e klubit kanë konfirmuar se klubi tashmë ka filluar një projekt të ri. Ndërtimin e një klubi të madh, i cili do ta kthejë dinjitetin e futbollit në Hajvali dhe do të jetë mundësi e jashtëzakonshme për të rinjtë e Hajvalisë.

KF Shkëndija tashmë ka siguruar mbështetjen e korporatës “M-Technologie” (pjesë e “Mabetex Group”-it), e cila do të jetë sponsor i klubit në projektin e ri.

Themeluesi i shkollës së futbollit Shkëndija është ish-futbollisti i mirënjohur kosovar Emin Bajrami, i cili tash e disa vite punon si trajner.

“Pas shuarjes së KF Hajvalia në fshatin tonë nuk ka ekzistuar asnjë klub. Unë e kam formuar shkollën e futbollit Shkëndija, duke menduar gjithmonë që ta kemi ekipin e parë”, ka deklaruar Emin Bajrami.

“Disa shokë, ish-futbollistë veteranë të klubit, e kanë marrë iniciativën që ta formojnë Hajvalinë 2020. Ideja ka qenë që të bëhemi bashkë, sepse një ekip do të jetë gjithmonë më i fortë, mirëpo marrëveshja nuk është arritur për arsye që nuk i di, sepse unë jam në rolin e trajnerit dhe jo drejtuesit të klubit. Hajvalisë 2020 i dëshiroj suksese dhe gjitha të mirat. Aty kam shumë shokë. Unë për vete kam qenë në mes dy zjarresh. Nuk ka qenë e lehtë se nga të orientohem. E falënderoj Kryesinë e Hajvalisë 2020 për respektin që ka treguar ndaj meje, duke më ftuar që të jem pjesë e tyre. Por ishte e vështirë të largohem nga Shkëndija, pasi kam qenë ndër të parët që e kam themeluar, duke m’u bashkangjitur më pas drejtori Naser Gashi dhe për këtë arsye nuk kam mundur që të tërhiqem”, pohoi Emin Bajrami, duke e shprehur edhe një dëshirë për fund.

“Do të kisha pasur dëshirë që para ndeshjes derbi të fshatit, Hajvalia 2020 – Shkëndija, të dyja skuadrat të drekojmë së bashku dhe më pas të dalim në mejdan. Kush është i mirë në fund t’ia urojmë fitoren. Vetëm në këtë mënyrë mund të ecim përpara”, përfundoi Emin Bajrami. /Zeri.info