Legjionarët

Ibrahim Dreshevic: Me Kosovën synoj Europianin

Qendërmbrojtësi i Kosovës, Ibrahim Dreshevic, në fëmijëri ka luajtur futboll vetëm për t’u kënaqur, por kurrë nuk e ka ditur se një ditë do të jetë në garë për t’u kualifikuar në Kampionatin Evropian.

Këtë mundësi, Dreshevic e ka nëse me Kosovën i fiton dy ndeshjet e plejofit për Kampionat Evropian.

“Nuk kam menduar shumë kur kam qenë i vogël. Kam luajtur futboll vetëm për t’u kënaqur, vetëm kaq. Por, kur fillova të rritesha, nisa ta kuptojë se mund të bëhem dikush në futboll”, ka thënë Dreshevic për emisionin sportiv të KTV-së “Sporti Total”.

Dreshevic ka bërë të ditur se dy golat e këtij sezoni kanë qenë të parat në karrierën e tij. Ai tregoi edhe arsyen pse e zgjodhi Kosovën kur kishte mundësi të luante për Suedinë, Shqipërinë dhe Malin e Zi.

“Po, kam pasur katër mundësi për zgjedhje. Por, e zgjodha Kosovën sepse mendoj se është më e mira për mua dhe mendoj se e kanë atë projektin e madh. Është ekip i ri dhe po shkon lartë e më lartë tërë kohën dhe mendoj se do të jetë e ardhme e mirë me Kosovën”, ka theksuar ai.

Dreshević me Heerenveenin ka kontratë edhe dy vjet. Por, nuk përjashton mundësinë e largimit. Ai ka zbuluar se ka interesim të skuadrave nga Italia dhe Gjermania.