Futbolli Vendor

Kryetarit të FFK-së i aprovohet ankesa për shtyrje të ekzekutimit të dënimit

Gjykata e Apelit e ka aprovuar si të bazuar ankesën e të dënuarit A.A. (Agim Ademi, kryetar i Federatës së Futbollit të Kosovës – sqarim i redaksisë) kundër aktvendimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë. Aktvendimi në fjalë është ndryshuar, të dënuarit i është lejuar shtyrja e ekzekutimit të dënimit me burg në kohëzgjatje prej tre muajsh.

A. A. më aktgjykim të formës së prerë është shpallur fajtor për shkak të veprës penale “Detyrimi në tentativë” dhe është gjykuar me dënim me burgim në kohëzgjatje prej 9 muajve, në të cilin dënim i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim nga data 12 shtator 2012 deri më datë 2 nëntor 2012.

Gjykata e Apelit, pas vlerësimit të pretendimeve ankimore si dhe të gjithë dokumentacionit mjekësor të paraqitur nga i dënuari, gjeti se ai është pranuar në ekzaminim në një Klinikë Emergjente, për shkak të gjendjes jo të mirë shëndetësore, si dhe atij i është rekomanduar të pushojë, e pastaj të vazhdojë trajtimin e mëtejmë në institucionin në të cilin paraprakisht është trajtuar dhe ka historinë personale për sëmundjen.

“Më këtë Gjykata konsideron se i dënuari ka nevojë për kujdes të shtuar shëndetësor, duke e plotësuar kështu kushtin për shtyrje të ekzekutimit të dënimit konform nenit 20 par.1 pika 1.1 të LESP-së, i cili nen përcakton se ‘ekzekutimi i dënimit me burgim mund të shtyhet me lutje të personit të dënuar, deri në shërimin e sëmundjes, nëse personi i dënuar vuan nga një sëmundje e rëndë akute’. Kjo edhe për faktin se siç është e ditur, Kosova tash e sa kohë po përballët me pandeminë Covid 19, pandemi kjo e cila sipas eksperteve shëndetësor, në masë të madhe atakon ata që kanë sëmundje tjera përcjellëse. Prandaj Gjykata e Apelit konsideron së dërgimi i tij në vuajtje të dënimit, në këto kushte dhe rrethana, do të paraqiste rrezik për shëndetin e të dënuarit, si pasoj e pamundësisë për trajtim adekuat shëndetësor dhe rrezikut për infektim nga personat e tjerë, më çka do të cenoheshin ndjeshëm të drejtat e tij, të proklamuara më ligj”, thuhet në njoftim./koha.net