Hendboll

Kupa shkon në Vushtrri

Vushtrria është fituese e Kupës së Republikës së Kosovës në hendboll në konkurrencë të femrave. Vushtrria të dielen e mposhti në finale Istogun me rezultat 22:17. Finalja ishte interesante e cilësore, ndërsa të dy skuadrat kanë luftuar deri në fund pa kursyer asgjë.

Por ishin vushtrriaset që shfaqën më shumë dhe fituan finalen e madhe.Kupën kapitenes së Vushtrrisë, Shqipe Tahiri, ia dorëzuan ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi dhe presidenti i FHK-së, Eugen Saraçini, që ndanë edhe medaljet e arta për vushtrriaset.Ndërkohë medaljet e argjendta për lojtaret e Istogut i ndanë zv. drejtoresha e Departamentit të Sportit, Afërdita Fazlija dhe nënpresidenti i FHK-së, Enis Idrizi.

Vushtrria nisi shkëputjen pas minutës së gjashtë, kurse tri gola epërsi i kishte në minutën e dhjetë. Istogu në pjesën e parë u afrua në një gol, por epërsia e Vushtrrisë shkoi deri në gjashtë gola. Pjesa e parë përfundoi me rezultat 13:8 për Vushtrrinë.Kjo skuadër e mbajti epërsinë edhe në pjesën e dytë. Istogaset u afruan prapë deri në një gol (16:15), por prapë Vushtrria u shkëput dhe ia doli të mbajë epërsinë deri në fund.Te Vushtrria u dallua portierja Njomza Kelmendi dhe liderja Burneta Rama, që shënoi 9 gola. Por edhe kapitenja Sh. Tahiri dhe të tjerat ofruan maksimumin dhe dhanë kontribut të çmueshëm.

Te Istogu u dallua portierja B. Ahmetxhekaj, kurse më efikasja ishte kapitenja Albina Rugova me 7 gola.Ndeshja është luajtur me shikues në palestër, por duke mbajtur distancën dhe duke respektuar masat në luftë ndaj COVID-19. Po ashtu Task-Forca e FHK-së për përballje me COVID-19 ka bërë kontrollimin mjekësor të lojtarëve dhe stafeve të klubeve. 

Istogu – Vushtrria 17:22 (8:13)

Istogu: Rugova 7, Ujkiq 1, Milatoviq 2, Hetemi 1, Shatri, Shehdadi, Fejza, Venetski 1, Rexhaj 2, Halitaj, Ahmetxhekaj, Ferataj 3, Berisha.

Vushtrria: Kelmendi, B. Gubetini, Vokshi, Avdiu 5, Rama 9, Zymberi 2, Preniqi, Paci, Ramabaja 1, Rrahmani, R. Gubetini, Selaci, Kasumi 2, Tërstena, Tahiri 3.