Futbolli Ndërkombëtar Ndërkombëtare Tjera

LASK-ut i merren gjashtë pikë për stërvitje gjatë izolimit, e humb pozitën e parë

Stërvitja gjatë izolimit i ka kushtuar shtrenjtë klubit austriak të futbollit, LASK Linz.

Një komision i Bundesligës së Austrisë e ka dënuar të enjten LASK-un me marrjen e gjashtë pikëve dhe me gjobë prej 75 mijë eurove. Vendimi është arsyetuar me thyerje të rregullave bazike të ferplejit.

LASK-u javë më parë nuk i ishte përmbajtur marrëveshjes për mënyrën e stërvitjes.

Pas vendimit, LASK-u do të bie nga pozita e parë në pozitën e dytë të Bundesligës austriake, pas Red Bull Salzburgut. LASK Linz menjëherë ka paralajmëruar se do të apelojë ndaj vendimit.

Anëtar të Komisionit që morën vendimin kanë thënë se dënimi është në përputhje me shkeljen, duke ditur se LASK-u ka mbajtur të paktën katër seanca stërvitore në kundërshtim me marrëveshjen e klubeve të Bundesligës. LASK-u ka mbajtur stërvitje me gjithë ekipin në kohën kur ishin të lejuar stërvitjet vetëm në grupe të vogla dhe pa kontakt fizik.

Shkelja ishte vlerësuar si “ndërhyrje e rëndë ndaj familjes së futbollit”.

LASK-u, që kishte kërkuar falje, ka të drejtë të ankesës në dy shkallë të ndryshme. Kjo e lë të hapur mundësinë që kampionati mos të dihet edhe shumë javë pasi që edicioni të përfundojë. Kampionati në Austri do të rifillojë më 2 qershor. /koha.net