Futbolli Vendor Superliga e Kosovës

Maxhuni para duelit Flamurtari – Ballkani: Do të japim gjithçka për fitore

Sfida Flamurtari – Ballkani, është një ndër ndeshjet më interesante të xhiros së 24-të në Superligën e Kosovës në futboll.

Këto dy skuadra në këtë edicion kanë synime të kundërta teksa Flamurtari “lufton” për mbijetesë, kurse Ballkani për titullin kampion.

Mesfushori i Flamurtarit, Lorik Maxhuni, e vlerëson maksimalisht këtë takim.

“Ndeshjen me Ballkanin e vlerësojmë maksimalisht pasi që kemi të bëjmë me një kundërshtar që ka treguar lojëra shumë të mirë në këtë edicion dhe kanë një ekip të mirë. Ne si klub jemi përgatitur maksimalisht për këtë ndeshje”, ka thënë Lorik Maxhuni.

“Konsiderojë se është ndeshje ku vështirë mund të parashikohet rezultati. Ne do të futemi të përqendruar maksimalisht dhe do ta japim 100 për qind nga vetja për fitore”, shtoi Maxhuni i cili e ka një karrierë shumë të pasur si futbollist.

Ballkani momentalisht ndodhet e dyta në tabelë me 45 pikë të mbledhura, një më pak se lideri Drita, derisa Flamurtari “stacionohet” në pozitën e tetë me 28 pikë.

Në dy ndeshjet e para në këtë kampionat, Ballkani e ka fituar të parën në Suharekë me rezultat 3:1 ndërkohë që në takimin e dytë të zhvilluar në Prishtinë, Flamurtari arriti fitore me shifrat 1:0. /Zeri.info