Futbolli Vendor Vendor Tjera

Mërgim Dervishaj: Ka ardhur koha që titullin ta rikthejmë në kryeqytet

Nesër zhvillohet finalja e ”Play Off”-it në futsall, ku do të përcaktohet kampioni i ri i Kosovës.

Në finale do të takohen dy ekipet më të mira të këtij sezoni, Mabetex Prishtina dhe Liburni nga Gjakova, përcjell portali ”90minuta.net”.

Finalja zhvillohet nesër, në palestrën ”Bill Clinton” në Ferizaj, duke filluar nga ora 18:00, dhe transmetohet direkt në RTK 4.

Njëri ndër lojtarët më të mirë të ekipit Mabetex Prishtina, Mërgim Dervishaj për portalin ”90minuta.net” ka folur rreth ndeshjes së nesërme, njëheritë ndeshjes më të rëndësishme të këtij sezoni në futsallin kosovar.

Nesër ballafaqohen dy ekipet më të forta të futsallit kosovar:

”Ndeshja e nesërme padyshim se do të jetë një ndeshje derbi, pasi që do të ballafaqohen dy skuadrat më të forta në futsallin kosovar.

Fakti që kemi arritur në finale dëshmon që Mabetex Prishtina ka cilësinë dhe forcën e duhur për ta fituar titullin e kampionit” tha fillimisht Dërvishaj.

Ka ardhur koha që titullin ta sjellim në kryeqytet:

”Duke vlerësuar pikë së pari organizimin e klubit, konsulidimin, mbështetjen e madhe, dhe kapacitetin e lojtarëve, besoj që ka ardhur koha që titulin e kampionit ta rikthejmë në kryeqytet.”

Finalja ndaj Liburnit, ndeshja më e rendësishme e këtij sezoni:

”Bashkëlojtarët e mi bëjnë pjesë në grupin e lojtarëve profesional të futsallit kosovar dhe besoj se të gjithë e kuptojnë rëndësinë e madhe të këtij takimi.

Kështu që jam i bindur se nesër të gjithë lojtarët e Mabetex Prishtina do ta japim më të mirën e tyre për të arritur deri tek titulli i kampionit” deklaroi Mërgim Dervishaj për portalin ”90minuta.net”.

Mërgim Dervishaj është 23 vjeçar, tash e dy vite është pjesë e rregullt e Përfaqësuses së Kosovës në futsall.