Futbolli Vendor Vendor Tjera

Mitrovica kampione e Kosovës në konkurrencën e femrave

27 qershor, 2020 – Mitrovica ka arritur ta mbrojë titullin e kampionit në konkurrencën e femrave, pasi në ndeshjen përcaktuese për titull e ka mundur Feronikelin, me rezultat 1:0.

Ndeshja u zhvillua në stadiumin “Riza Lushta” në Mitrovicë. Golin e fitores për mitrovicaset e realizoi Kaltrina Biçkaj në vazhdime, pasi ndeshja në kohën e rregullt u mbyll pa gola.

Në përgjithësi ndeshja ishte mjaft rivalizuese, me një dominim të lehtë të mitrovicaseve. Në pjesën e parë të dyja ekipet shpërdoruan nga një mundësi të mirë shënimi. Fillimisht Zelfije Bajramaj e Feronikelit doli në pozitë të mirë në minutën e 30-të, por gjuajtjen e saj e priti Viona Rexhepi. Në anën tjetër, mitrovicaset lëshuan rast shumë të mirë në minutën e fundit të pjesës së parë kur Ambra Gjergji me kokë gjuajti pranë portës pas harkimit Qëndresa Bajrës.

Në pjesën e dytë të dyja ekipet u treguan më të kujdesshme në lojë, por në minutat e fundit Mitrovica shumë lehtë ka mundur të shënojë. Së pari Liridona Syla nga gjuajtja e lirë gjuajti furishëm, por topin mbi portë e dëboi portierja, Lavdije Behramaj, derisa më pas Edona Kryeziu nga afër me kokë nuk arriti ta dërgojë topin në rrjetë.

Kësisoj, ndeshja shkoi në vazhdime ku në 15 minutëshin e parë mitrovicaset shënuan nëpërmjet Kaltrina Biçkajt me gjuajtje nga distanca, gol ky i cili u kontestua nga skuadra e Feronikelit nëse e ka kaluar apo jo topi vijën fatale të portës.

Në vazhdimin e dytë vashat e Feronikelit u përpoqën maksimalisht për ta shënuar golin e barazimit, por nuk ia dolën.

Në fund medaljet për ekipin kampion i shpërndanë Xhelal Broja, anëtar i KE të FFK-së dhe Valbona Gashi-Uka, administratore e Ligës së femrave, derisa trofeun e kampionit kapitenes Fatbardha Osmani ia dorëzoi anëtarja e KE të FFK-së dhe kryetarja e Komisionit të futbollit të femrave, Vjollca Krasniqi. /ffk-kosova.com