Hendboll

Ndeshja e parë e finales së ”Play-Off”-it: KHF Ferizaj – KHF Istogu 34:29

KHF Ferizaj – KHF Istogu 34:29 (16:12)

Ferizaj: Rugova, Basha 7, Salihu 2, Sylejmani, Fazlija 6, Kelmendi 8, Damaneku, Reqica 1, Gashi 2, Kupina, Koneski 9, Thaqi, Misini, Dinulli, M. Dinulli.

Istogu: Shehdadi, Berisha, Ujkiq 6, Milatoviq 2, Hetemi 4, Shatri, Rugova 3, Fejzaj, Venetski 6, Rexhaj, Halitaj 6, Ahmetxhekaj, Ferataj 2.

Mbrëmë në palestrën ”Bill Clinton” në Ferizaj, u zhvillua ndeshja e parë e finales së ”Play-Off”-it në Superligën e Kosovës në hendboll.

Ferizaj e mposhti Istogun në ndeshjen e parë të finales, me rezultat 34:29.
Kampioni i Kosovës në hendboll do të vendoset në ndeshjen e kthimit, që do të zhvillohet në mesjavë në Orroberdë të Istogut.

Hendbollistet e Istogut e humbën ndeshjen me gabimet e veta, pasi gjatë gjithë ndeshjes kishin numër të madh të gabimeve teknike në fazën e sulmit. Dhe këto gabime të shumta në fund i kushtuan me humbje hendbollisteve të Istogut.

Hendbollistet e Istogut u angazhuan maksimalisht mbrëmë, por fati sportiv nuk ishte në anën e tyre.
Duhet cekur gjithashtu që portierja e Ferizaj, Rugova mbrëmë ishte figura kyqe e Ferizaj, pasi që gjatë gjithë ndeshjes ishte ‘mur’ i pakalueshëm për hendbollistet e Istogut.

Priti 3 penallti dhe bëri shumë pritje gjatë gjithë ndeshjes, bëri pritje në rastet e qindëpërqinda, edhe kur hendbollistet e Istogut gjatë kundërsulmeve ishin 1 me 1 me portieren Rugova, portierja ferizajese arrinte që ta shpëtonte portën e saj.
Në radhët e Istogut me lojë të mirë u dallua Alberina Halitaj që shënoi 6 gola.