Basketboll

Nga “milionerë” në “raste sociale”

Vetëm pak vjet më parë, basketbolli në Kosovë ishte në ekspansion dhe rrjedhimisht basketbollistët ishin shumë të paguar, duke u cilësuar si pasanikët e sportit kosovar.

Mirëpo, gjërat kanë ndryshuar në mënyrë radikale dhe tani basketbollistët, së paku një numër i madh i tyre, mund të vlerësohen si të varfrit e sportit në Kosovë.

Shumica e basketbollistëve në Kosovë vitin e kalojnë me vetëm 6-7 paga, pasi pauza ndërmjet dy kampionateve është e gjatë.

Prishtina me shumë obligime ndaj lojtarëve

Situata nuk është aspak e mirë te skuadra kryeqytetase, Sigal Prishtina. Kapiteni i saj, Edmond Azemi, shprehet i pakënaqur me qasjen e kryesisë ndaj basketbollistëve.

“Jemi të pakënaqur, sepse vetëm jemi njoftuar për ndërprerje të stërvitjeve dhe për asgjë tjetër. Vërtet situata me Covid-19 ishte e paparashikuar, por duhet që të paktën të ftohemi në një mbledhje dhe të sqarohemi. Prishtina ka pasur probleme edhe financiare edhe para kësaj situate dhe jo vetëm në tre muajt e fundit. Personalisht mua më kanë shumë borxh, por edhe lojtarëve vendorë në përgjithësi. Ndërsa, jam në kontakt me lojtarët e huaj dhe atyre u janë paguar 100 për qind pagat. Nuk e di si do të përfundojë kjo situatë, por definitivisht e di që meritojmë më shumë respekt. Probleme financiare kanë edhe skuadrat tjera dhe jo vetëm Prishtina”, ka thënë Azemi për Objektiv.com.

Ndërkohë gazeta ka marrë vesh se basketbollistët vendorë nuk i kanë marrë pagat e janarit, shkurtit, marsit e prillit. Duke marrë parasysh se kampionati i ri pritet të fillojë në fund të shtatorit ose në fillim të tetorit, atëherë kjo i bie që ata do të jenë pa paga për plot 9 muaj.

“Vreshtarët” shpresojnë në ndihmën e Komunës

Më e pranueshme, por jo edhe e kënaqshme është situata te Rahoveci. Basketbollisti i “Vreshtarëve”, Altin Morina ka treguar se edhe te skuadra e tij ka probleme të natyrës financiare.

“Unë kam kontratë me Rahovecin deri në fund të këtij muaji. Pas ndërprerjes së kampionatit na është bërë me dije se për shkak të Covid-19 klubi ka probleme financiare, por që janë në pritje nga Komuna e Rahovecit për t’i siguruar mjetet dhe ndaj nesh të shlyhen obligimet për muajt e mbetur. Mbetet të shihet cila do të jetë zgjidhja, por ne jemi në pritje të përgjigjes”, ka deklaruar Morina për gazetën Objektiv.

Duhet ndryshuar qasja ndaj basketbollistëve

Situata më e mirë duket të jetë te Bashkimi. Kapiteni, Qëndrim Biraj bën të ditur se basketbollistët nuk e kanë marrë vetëm pagën e prillit.

“Sipas kontratave që i kemi, ne nuk e kemi marrë ende vetëm pagën për muajin prill. Jam në kontakt të vazhdueshëm me kryesinë e klubit dhe kemi premtime se shumë shpejt do ta marrim edhe atë pagë”, ka thënë Biraj për Objektiv.

Mirëpo, edhe ai mendon se duhet ndryshuar qasja e klubeve ndaj basketbollistëve kur bëhet fjalë për kontratat.

“Pagesa e lojtarëve vetëm sa zgjatë kampionati nuk është në rregull, sepse ne betemi nga 4-5 muaj pa paga, ndërsa mbi 90 për qind e basketbollistëve varen nga kjo pagë. Shpresoj që diçka të ndryshojë në këtë drejtim, skuadrat t’i fillojnë përgatitjet më herët dhe basketbollistët të paguhen me rregull, sepse vetëm në këtë mënyrë do të ngritet edhe cilësia e basketbollit vendor”, ka thënë Biraj.

Situata nuk është më e mirë as në skuadrat tjera, madje në disa prej tyre është edhe më keq.