Futbolli Vendor

Pas dyshimeve për kurdisje: Reagon Batatina, nuk shfajëson Osmanin e Zhdrellën

Trajneri i Llapit, Tahir Batatina, ka reaguar pas lajmit që Prokuroria e shtetit do të nisë hetimet për dyshimet që ndeshja Llapi-Drenica sot ishte e kurdisur.

Drenica triumfoi 2:0 në këtë takim, ndërsa pas ndeshjes sekretari i këtij klubi, Muhamed Rexhepi kishte akuzuar Labinot Osmanin e më pas edhe Mentor Zhdrellën për kurdisje të këtij takimi.

Batatina, përmes një postimi në rrjetet sociale, nuk ka shfajësuar dy futbollistët e lartpërmendur, duke mos e përmendur fare këtë incident të rëndë.

“Të nderuar futbolldashës e në veçanti ju tifozë të KF Llapit

Jam duke parë lajme se prokuroria po fillon hetime ndaj ndeshjes Llapi-Drenica, ne jemi të interesuar të hetohet se edhe ne po dyshojmë se Kryetari i dënuar 9 muaj burg efektiv, Agim Ademi, Malazog Hoxha dhe komisioni i delegimit të gjyqtarëve pasi po e shohin se nuk do të jenë më pjesë e Federatës po mundohen të shkatrrojnë gjithçka dhe kjo më bënë të dyshoj se gjyqtarët e deleguar ishin nën urdhërat e ish-kryetarit në ikje dhe të dënuarit për jetë që mos të referoj Malazog Hoxhës, të cilët e caktuan fituesin.

Ne jemi pro fillimit të hetimeve sepse ata siç edhe po shihet kanë filluar misionin e fitimit në djersën e donatorëve dhe klubeve, andaj duke e ditur se do ikin dëshirojnë të shkatërrojnë gjithçka.

Drenicës ja urojmë fitoren sepse ky është futbolli por gjyqtarëve dhe Agim Ademit asnjëherë sepse qëillimi i tij ishte t’i prish raportet e klubeve mes vete dhe ta humb miqësinë që skuadrat kanë mes vete që më i mirë të fiton. Po them me plotë bindje se në të shumtën e rasteve u dëmtua Llapi si në gol si në pozicionet jashtë loje të pa qena në ndeshje.

Ne gjithmonë do t’i ruajmë miqtë në futboll por nuk do të ndalemi derisa të largohen nga futbolli kriminelët e futbollit në krye me njeriun e dënuar që është duke na prishur edhe imazhin e krijuar me mund dhe djersë me vite të tëra. Ik së bashku me klanin tënd sepse ti po na prish imazhin dhe ata që me djersë e mund e bëri legjenda Fadil Vokrri dhe shumë njerz dhe donator që saktifikuan dhe janë duke sakrifikuar për futbollin.

Malazog Hoxha – krimi i futbollit në delegime dhe i dënuari me burg duhet që sa më shpejt të largohen që t’i lirohet frymëmarrja futbollit”, shkroi Batatina.