Futbolli Vendor Liga e Parë

Reagon FC Malisheva: Na keni lënduar shumë, keni shkelur mbi djersen e lojtarëve

Federata e Futbollit e Kosovës, ka marrë vendim që ta përfundoj sezonin 2019/2020, në Ligën e Parë.

FFK-ja ka vendosur që Besa e Pejës dhe Arbëria të inkuadrohen për sezonin e ri në Superligën e Kosovës në futboll.

Për këto vendime kanë reaguar shumë skuadra nga Liga e Parë, Liga e Dytë dhe Liga e Tretë.

Së fundi, është skuadra e Malishevës, e cila ka reaguar me vendimin e ndërprerjes së kampionatit për Ligën e Parë.

Sipas tyre, klubi ndihet i habitur me këtë vendim dhe i lënduar shumë.

Gjithashtu, klubi paralajmëron se vendimi i sotëm do të apelohet në të gjitha instancat dhe po qe nevoja edhe në instanca ndërkombëtare.

Ky është reagim i plotë i KF Malishevës:

Për: Federatën e Futbollit të Kosovës Komitetin Ekzekutiv.

Reagim – Kundërshtim ndaj vendimit për ndërprerjen e kampionatit për Ligën e Parë të futbollit.

Na keni habitur me vendimin e sotëm, na keni lënduar tejmase, keni shkelur mbi djersën e lojtarëve, shkelët gjithë investitorët që ndihmuan klubin, shkelët mbi çdo parim, nuk na pyetët, nuk morët parasysh kërkesat tona dhe klubeve tjera për vazhdim të kampionatit, si duket as pandemia nuk ju kthjelli, arritët që në superligë të dërgoni skuadrat që i preferuat, na humbët gjithë vullnetin për sport, gjithë angazhimin dhe mundin e lojtarëve, na keni dekurajuar tifozët dhe dashamirët e futbollit malishevas por jo vetëm.

Na e ndalet hovin, na e mohuat kualitetin, disiplinën sportive që kemi treguar deri me tash, na e shkelët.

A e diskutuat se cilat ishin kërkesat e klubeve, a po ju duket aq e lehtë të merrni vendim, mjaftë u bë, ky e ky klub shkojnë në superligë, tjetri e tjetri vijnë në ligë të parë dhe me kaq keni kryer punë.

Nuk do të ndalemi, por për fillim po ju përkujtojmë që ne, pra, FC Malisheva, kemi kërkuar vazhdimin e kampionatit, kemi ndërmarr të gjitha masat e nevojshme që të fillojmë stërvitjet në kushtet aktuale, ne prisnim sinjalin për fillim të stërvitjeve dhe vazhdim të kampionatit, do të kundërshtojmë vendimin e juaj, dhe do të koordinohemi edhe me ekipe tjera që mendojnë si ne, sepse pērveç klubeve me vendimin e sotëm e keni dëmtuar rëndë futbollin në përgjithësi.

Paralajmërojmë se vendimi i sotëm do të apelohet në të gjitha instancat dhe po qe nevoja edhe në instanca ndërkombëtare.

/Gazeta Sheshi/