Futbolli Ndërkombëtar Ndërkombëtare Tjera

Rrugëtim i jashtëzakonshëm i ikonës së Afganistanit

Për shumë njerëz, shkuarja në dasmën e një të afërmi është një përvojë e këndshme. Megjithatë, për mbrojtësin e Përfaqësueses së Afganistanit, Zohib Islam Amiri, ishte më shumë se një kujtim i dashur.

Prania e tij në dasmën e një kushëriri para një dekade e gjysmë më parë doli të ishte e rëndësishme në fillimin e asaj që do të ishte një karrierë e ndritur e futbollit.

Ishte muaji mars i vitit 2005 kur Amiri 15-vjeçar dhe prindërit e tij – asokohe refugjatët në Pakistan – u kthyen në kryeqytetin e Afganistanit, Kabul, për të qenë të pranishëm në martesën e një kushëriri. Ai atëbotë ishte një adhurues i çmendur i yllit në rritje të Manchester Unitedit, portugezit Cristiano Ronaldo, ndërsa kushëriri i tij ishte duke luajtur me klubin vendas Shoa FC.

“Kur shikoj mbrapa, ende më duket sikur ka ndodhur dje. Gjatë dasmës ishte i pranishëm edhe trajneri i kushëririt tim, të cilin nuk e njihja fare”, pranoi mbrojtësi 30-vjeçar i Afganistanit dhe ekipit indian Gokulam Kerala FC. “Gjatë dasmës mora pak kohë për të luajtur në oborr futboll me një kushëri tjetër dhe menaxheri na kishte vëzhguar. Kur mbaruam lojën, ai erdhi dhe më pyeti se a dëshiroj të jem pjesë e klubit të tij. Kështu që, pikërisht në dasmë edhe nisi karriera ime në futbollin profesionist edhe pse isha një adoleshent”.

Nëse firmosja e kontratës me Shoa FC ishte i papritur për Amirin, një goditje më e madhe pritej të vinte.

“Ma dhanë fanellën me numrin nëntë për ndeshjen time të parë në emër të klubit. Një pjesë e stafit të ekipit kombëtar po na shikonin. Pas lojës, ata më bënë thirrje për një kamp të ekipit kombëtar”, kujton Amiri. “Nuk ishte e lehtë për një 15-vjeçar si unë të garonte kundër djelmoshave të mëdhenj në nivelin e lartë. Por unë vazhdoja të punoja shumë. Për fat të mirë, arrita të futem në përzgjedhjen e 30 lojtarëve dhe pastaj në ekipin final prej 23 futbollistëve dhe përfundova duke e përfaqësuar vendin tim”.