Hendboll

Sot kërkojnë finalen Besa Famgas në konkurrencë të meshkujve, dhe Istogu në konkurrencë të femrave!

Sot dhe nesër luhen ndeshjet e dyta dhe të fundit të gjysmëfinales së ”Play-Off”-it në Superligën e Kosovës në hendboll, në të dyja konkurrencat.

Femrat – Sot nga ora 17:00 takohen Istogu e Prishtina. Ndeshja luhet në palestrën “Dresha” në Orroberdë.

Kampioni aktual, Istogu, është shumë pranë finales, pasi që ndeshjen e parë të luajtur në Prishtinë e ka fituar me rezultat bindës, 43:12.

Si mysafir ka fituar edhe Vushtrria që të shtunën e mposhti Ferizajn me rezultat 27:24. Edhe ndeshja e dytë në mes këtyre dy skuadrave pritet të jetë me rivalitet dhe interesante.Ndeshja Vushtrria – Ferizaj luhet të mërkurën nga ora 18:00 në palestrën “Jeton Tërstena – TOTA” në Vushtrri.

Meshkujt – Kastrioti e Besa Famgas takohen sot nga ora 19:00 në palestrën “Bill Clinton” në Ferizaj në gjysmëfinalen e dytë të ”Play-Off”-it në Superligën e Kosovës në hendboll.

Të shtunën në Pejë, Besa fitoi bindshëm me rezultat 41:28. Kampioni aktual, Besa, është më pranë finales, por ferizajasit nuk janë dorëzuar. Do të japin më të mirën e mundshme në tentim për fitore dhe eventualisht për të kaluar në finale.

Fitore ka shënuar edhe Trepça ndaj Prishtinës. Të shtunën në kryeqytet “xehetarët” befasuan duke fituar me rezultati 31:23.

Mitrovicasit synojnë fitore edhe në ndeshjen e dytë kurse Prishtina synon fitore me më shumë se tetë gola dallim për të kaluar në finale.Ndeshja Trepça – Prishtina luhet të mërkurën nga pra 17:00 në palestrën “Minatori” në Mitrovicë.

Skuadrat që janë më të suksesshme pas dy ndeshjeve kalojnë në finale të ”Play-Off”-it. Ndeshjet luhen pa shikues dhe duke respektuar të gjitha masat e kujdesit që janë paraparë në luftë ndaj COVID-19.