Futbolli Ndërkombëtar Ndërkombëtare Tjera

Tifozët polakë kthehen në tribuna më 19 qershor

Tifozët e futbollit në Poloni do të lejohen të përcjellin ndeshjet në stadiume që nga 19 qershori. Këtë e ka bërë të ditur kryeministri i Polonisë, Mateusz Morawiecki të premten.

Por vetëm 25 për qind e kapaciteteve të stadiumeve do të shfrytëzohet për të parandaluar përhapjen e koronavirusit.

“Federata e Futbollit të Polonisë dhe liga elitare kanë zgjedhur 19 qershorin, kështu që do të jetë e mundur të përgatisim çdo gjë duke iu përmbajtur procedurave”, ka thënë Morawiecki.

Më herët edhe Mali i Zi ka njoftuar se do të lejojë numër të caktuar të tifozëve në ndeshje të futbollit.

Ligat që kanë rifilluar tashmë nuk po lejojnë shikues në stadiume, duke përfshirë Bundesligën.

Po të premten është bërë e ditur se finalja e FA Cup të Anglisë do të zhvillohet më 1 gusht. Këtë e ka bërë të ditur Federata e Futbollit të Anglisë, pasi të enjten Premier League njoftoi se edicioni do të rifillojë më 17 qershor.

Çerekfinalet e FA Cup do të luhen më 27 e 28 qershor, kurse gjysmëfinalet më 11 e 12 korrik.

Ndeshjet çerekfinale janë: Leicester City – Chelsea, Newcastle United- Manchester City, Sheffield United – Arsenal, Norwich City – Manchester United.