Hendboll

Trajneri i KHF ”Istogu”: I kemi të gjitha mundësitë që ta përmbysim rezultatin, titulli i kampionit do të mbetet në Istog!

Nesër (e martë) do të zhvillohet ndeshja e dytë e finales së ”Play-Off’-it në Superligën e Kosovës në hendboll, në konkurrencën e femrave, ku do të takohen Istogu dhe Ferizaj.

Ndeshja: KHF Istogu – KHF Ferizaj, zhvillohet të martën, nga ora 18:00, në palestrën e sporteve ”Dresha” në Orroberdë të Istogut.

Ndeshjen e parë e fitoi Ferizaj me rezultat 34:29, përcjell portali ”90minuta.net”.

Trajneri i Istogut, z.Faruk Shala për portalin ”90minuta.net” ka folur rreth ndeshjes së nesërme, që KHF ”Istogu” e zhvillon ndaj Ferizaj.

”Hendbollistet e Istogut janë 100 % të përgaditura për këtë sfidë, dhe i kanë të gjitha mundësitë që ta përmbysin rezultatin e ndeshjes së parë.

Pa asnjë dyshim e potencoj se me këtë përgaditje që kanë vashat e Istogut është e pritur që nesër të triumfojë Istogu.

Ne kemi humbur ndeshjen e parë si pasojë e numrit të madh të gabimeve teknike në fazën e sulmit, e që unë jam i bindur se ato gabime më nuk do të përsëriten.”

Pres angazhim maksimal nga të gjitha hendbollistet:

”Unë pres angazhim maksimal nga të gjitha hendbollistet, ta imponojmë intenzitetin e lartë të ndeshjes dhe kësaj radhe të shkojnë gjërat ashtu si hendbollistet tona dëshirojnë.”


Porosia e trajnerit z.Faruk Shala për hendbollistet e KHF Istogu është:

”Kjo është hera e parë që ne zhvillojmë një ndeshje të madhe në shtëpinë tonë, pra ne qytetin tonë.

Askund nuk mundesh të jesh më i fortë se në shtëpinë tënde. Edhe pse ndeshja do të zhvillohet pa tifozët tanë, ata(tifozët) me zemër janë me neve dhe për neve.

Ju vasha istogase gjatë tërë sezonit keni qenë më të mirat në vend, qytetit të Istogut i keni sjellur shumë gëzime deri tani ashtu do të jetë edhe të martën.

Kupa e titullit të kampionit do të mbetet në Istog, ky qytet me shumë sportdashës e meriton një titull të tillë” ishin fjalët e trajnerit z.Faruk Shala, për portalin ”90minuta.net”.

Nesër pritet që të zhvillohet një ndeshje mjaftë e fortë dhe me rivalitet të madh ndërmjet KHF Istogu dhe KHF Ferizaj, ku të dyja skuadrat synojnë titullin e kampionit.